Parathënie

Ky manual është përmbledhje e materialeve të ndryshme të përdorura në kurset e PHP/MySQL në NSH “ORBIS” (Prizren), Innovation Centre Kosova (Prishtinë) dhe SmartCode (Prishtinë).

Materiali është ende i pasistemuar dhe i pakompletuar sepse libri është në procesin e përgatitjes, ndërkohë që është vështirë të parashikohet se kur libri mund ta marrë formën e vet finale.

Janë të mundshme gabime të ndryshme si në tekst, ashtu edhe në kod, por do të përpiqem që ato t’i eliminoj apo t’i sjell në minimum.

Vështirësia më e madhe me një libër për PHP është mungesa e terminologjisë për termet nga IT, në veçanti të atyre specifike për Web. Prandaj, në raste të caktuara janë përdorur fjalë në gjuhën angleze, të cilat do të zëvendësohen me ato shqipe kur të gjendet përkthimi i përshtatshëm i tyre.

Libri i dedikohet fillestarëve, por aty-këtu temat janë diç më të avancuara, gjë që nuk do të duhej të konsiderohej si mangësi sepse mund të hyjnë në punë kur lexuesi ta ketë arritur një nivel më të lartë të njohurive në PHP programim.

Libri është duke u përgatitur me përdorimin e Markdown, që e bën formatimin e faqeve më pak të sofistikuara se ato në ndonjë tekst procesor. Ky kufizim është i imponuar nga shtëpia botuese “Leanpub”, për shkak se prej momentit të ruajtjes së dokumenteve deri në publikim në Web, i gjithë procesi është i automatizuar. Për shkak të automatizimit të procesit, mund të ndodhë që ndonjë pjesë e ndonjë faqeje të mos dalë e formatuar në mënyrë korrekte në momentin e publikimit, por gjithsesi do të bëj përpjekje që edhe ky lloj i gabimeve të eliminohet.

Në këtë fazë, libri ofrohet gratis dhe mund të shpëndahet lirisht.

I mirëpres këshillat, sugjerimet, kritikat dhe korigjimet e gabimeve nëpër tekst.

Autori

Kontakti:

  • Email: tahir.hoxha@gmail.com
  • Facebook: /hoxha.tahir
  • Twitter: @Alkimisti